Monza mundi sot Juventusin në shtëpi me shifrat 2-0 dhe për Rafaele Paladinon, trajnerin e debutuesve në Serinë A, suksesi kishte një vlerë të dyfishtë. Ish-mesfushori i bardhezinjve në fakt, përveç tre pikëve i është gëzuar edhe një dhurate të veçantë nga administratori i klubit, Adriano Galiani.
Menjëherë pas ndeshjes, Paladino është shfaqur para kamerave të “DAZN” me një kravatë të verdhë në dorë, të cilën e tregoi me krenari, sepse kjo ishte dhurata që i kishte bërë drejtuesi i klubit pas një bashkëbisedimi që kishin pasur para ndeshjes.
“Unë i bëra komplimente Galianit para ndeshjes për kravatën që mbante dhe më tha “nëse bën rezultat, do të ta dhuroj”.
Meqë ai është një burrë që e mban fjalën, e bëri një gjë të tillë”, tha Paladino duke treguar kravatën që mbante në dorë.