Partizani, Tirana, Vllaznia e Apolonia janë katër ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni të 14-të të Kupës së Shqipërisë për vajza. Këtë fundjavë janë zhvilluar takimet e kthimit të fazës çerekfinale, tre prej të cilave ditën e shtunë dhe Apolonia – Laçi këtë të diel.
Në derbin e kryeqytetit, Partizani siguroi biletën për në gjysmëfinale pasi mposhti me penallti Kinostudion.
Të kuqet realizuan dy gola të shpejtë në pjesën e parë, me Docin e Xhebrahimin, ndërsa Kadiolli ngushtoi rezultatin për Kinostudion, duke barazuar edhe rezultatin final, 5-5.
Skuadrat iu drejtuan kohës shtesë, por asgjë nuk ndryshoi në rezultat, teksa nga pika e bardhë e penalltive, vajzat e Partizanit u treguan më të sakta, duke siguruar gjysmëfinalen.
Sakaq, një tjetër ekip kryeqytetas që kalon në fazën tjetër është edhe Tirana.
Vajzat bardheblu triumfuan me rezultatin e thellë 16-0 ekipin e Teutës në kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet.
Një takim që foli vetëm për vajzat bardheblu, të cilat realizuan 9 gola në pjesën e parë dhe 7 gola në fraksionin e dytë të ndeshjes.
Nga ana tjetër, Vllaznia triumfoi edhe në ‘betejën’ e dytë të kësaj faze, teksa mundi me shifrat 6-0 Kukësin, duke siguruar kështu gjysmëfinalen në këtë edicion të Kupës së Shqipërisë.
Asnjë surprizë në ndeshjen e zhvilluar ditën e sotme, mes Apolonisë dhe Laçit. Fieraket fituan me rezultatin 5-0, teksa dominuan 90 minutat e kësaj ndeshje të dytë, duke kaluar kështu në gjysmëfinale.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë për vajza
Partizani – Kinostudio (5-5) (4-1 me penallti)
Tirana – Teuta (25-2)
Vllaznia – Kukësi (13-0)
Apolonia – Laçi (11-0)