Napoli po vazhdon të shkëlqejë në futbollin italian, por edhe në garat evropiane.
E për këtë, meritat më të mëdha i kanë futbollistët.
Njëri prej tyre është edhe Amir Rrahmani, i cili po i jep siguri mbrojtjes së ekipit të Luciano Spallettit.
Për këtë arsye, napolitanët po planifikojnë ta shpërblejnë shumë shpejt përfaqësuesin kosovar.
Sipas mediave italiane, Napoli do t’ia vazhdojë kontratën ish-futbollistit të Dinamo Zagrebit e Veronës bashkë me tre lojtarëve të tjerë të ekipit, Stanislav Lobotka, Juan Jesus e Giovanni Di Lorenzo.
Futbollistit kosovar do t’i skadojë kontrata aktuale në vitin 2024, por lideri i Serie A po mendon ta “blindojë” atë me një kontratë të re afatgjate pasi Rrahmani është njëri prej liderëve të ekipit.
Natyrisht, atij do t’i rritet edhe rroga vjetore, e cila në kontratën e re mund të jetë 2,5 milionë euro.
Napoli me Rrahmanin e të tjerët po shkon me hapa të sigurt drejt titullit të kampionit në Itali.