Dita e fundit e afatit kalimtar të janarit ka qenë mjaftë aktive, me disa transferime interesante që janë bërë në kampionatet evropiane.
Por 31 janarin e vitit 2023 do ta mbajnë mend edhe disa nga futbollistët shqiptarë, që kanë kryer transferime në 24 orët e fundit të afatit dimëror.
Deri në këto momente gjashtë futbollistë shqiptarë kanë ndërruar skuadra në ditën e fundit të afatit kalimtar dimëror.
Sigurisht që transferimi më i madh nga shqiptarët ka qenë ai i sulmuesit të Kosovës, Zymer Bytyqit i cili u largua nga Konyaspori për të bërë hapin e madh në karrierë duke u transferuar te gjiganti grek Olympiacos.
26-vjeçari i kushtoi kampionëve në fuqi të Greqisë 1 milion euro, teksa u largua nga kampionati turk pas dy viteve shkëlqimi te Konyaspor.
Reprezentuesi kosovar do të tentoj të fitoj trofe me Olympiacosin, ku në këtë skuadër gjen edhe bashkëkombësin e tij Pajtim Kasamin.
Një hap para në karrierën e tij e ka bërë edhe Nedim Bajrami që ka ndërruar skuadër, por jo edhe kampionat.
Reprezentuesi shqiptar është huazuar nga Empoli te Sassuolo, me skuadrën zigjelbër që ka të drejtën e blerjes së tij në fund të sezonit.
Talenti i Shqipërisë, Anis Mehmeti ka ndërruar kampionat, por jo edhe shtet. Mesfushori ofensivë është larguar nga Wycombe (League One) për t’iu bashkuar Bristol Cityt në Championshipin anglez.
22-vjeçari Mehmeti ka nënshkruar një kontratë tre vjeçare e gjysmë deri në qershor të vitit 2026.
Ndryshim skuadre ka bërë edhe Astrit Selmani, i cili rikthehet në futbollin skandinav.