Chelsea ka qenë një ndër skuadrat më aktive në merkaton e janar, duke shpenzuar rreth 340 milionë euro. Goditja e fundit e madhe ishte Enzo Fernandez, për të cilin Blutë shpenzuan 121 milionë, një rekord i të gjitha kohërave në Premier League.
Por duke shtuar ardhjet e Mudryk, Badiashile, Madueke, Malo Gusto, por edhe braziliani Andrey Santos dhe i Ivorianit Fofana, londinezët kanë shpenzuar më shumë se të katër kampionatet e tjera të mëdha europiane së bashku.
Blerjeve të merkatos së janarit i bashkohet edhe huazimi i Joao Felix-it, i cili në total do t’i kushtojë Chelseat rreth 20 milionë për disa muaj. Blutë janë kualifikuar në 1/8 e Champions League dhe tani duhet të punojnë fort për të balancuar listat që duhet t’i dërgohen federatës europiane.
I sakrifikuar mund të jetë Pulisic dhe ndoshta Ziyech, plus Jorginho që u shit te Arsenali. Në listat e reja duhet të zgjidhen Enzo Fernandez, Mudryk dhe Joao Felix.
Po pesë të tjerët? Duke përjashtuar Malo Gusto, i cili u la i huazuar te Lyon deri në fund të sezonit, jashtë mbeten Badiashile, Madueke, Fofana dhe Andrey Santos, për të cilët priten edhe lejet e punës nga FA.
Por ata që kanë ardhur të gjithë tani nuk e plotësojnë kërkesën tjetër, që është se ata kanë qenë në klub për të paktën dy sezone. Prandaj, rreth nëntëdhjetë milionë të shpenzuara mbeten jashtë Champions League.