Mediumi lokal gjerman “Fupa” ka shkruar sot se skuadra e futbollit Kosova e Dusseldorfit investon shumë dhe po ashtu ka përmendur edhe përforcimet që ka bërë në këtë afat kalimtar.
“Bezierliga e futbollit do të jetë vetëm një stacion transit për FC Kosovën”, shkruan mes të tjera mediumi gjerman.
“Synimi ynë është të vazhdojmë të përmirësohemi”, thotë trajneri i Kosovës, Khalid Channig, aktualisht janë në pozitën e tretë me 40 pikë dhe një ndeshje me pak.
“Kosova ka investuar sërish në skuadër në ditët dhe javët e fundit. Është përforcuar me Ahmad Al-Bazaz (SV Wersten 04), Altin Imeri (SSVg Heiligenhaus), Enis Vila (SF Baumberg) dhe të rikthyerin Hedon Terpeza (Rather SV), disa lojtarë që u sollën nga zona përreth.
Kosova së fundi ka nënshkruar edhe me Bujar Idrizin. Mbrojtësi 31-vjeçar së fundmi ishte në kontratë me skuadrën e Superligës së Kosovës, KF Llapi, me të cilin dy herë e fitoi Kupën e Kosovës”, shkruan më tej.
"Ai do të na ndihmojë jashtëzakonisht me përvojën e tij”,- thotë Channig.
Idrizi me siguri nuk do të jetë i fundit profesionist sepse po negociohet edhe me lojtarin Kista Aimilio, që ka luajtur në ligën e dytë australiane.
Ndeshja e parë garuese e vitit të ri është planifikuar për fundjavën e ardhshme. Kosova mirëpret klubin e ligës rajonale Rather SV në çerekfinalet e kupës së Bezierliga.