Më 25 mars kombëtarja e Zvicrës do të nisë kualifikimet për Kampionatin Evropian, në Serbi kundër Bjellorusisë.
Federata Zvicerane e Futbollit ka reaguar në UEFA, por tani duhet të pranojë vendimin, shkruan mediumi zviceran “Blick”.
Zvicra është favoritja e madhe në grupin kualifikues të Kampionatit Evropian, ku janë edhe Rumania, Izraeli, Kosova, Bjellorusia dhe Andorra.
“Kosova? Shtëpia e dytë e flamurtarëve të kombëtares Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Izraeli?
Konflikti me Palestinën po vjen sërish në krye.
Bjellorusia?
Aleat i Rusisë luftënxitëse.
Më shumë potencial për konflikt politik sesa në Grupin I nuk është e mundur!
Për shkak të vëllazërisë së saj me Rusinë, UEFA i ka zhvendosur ndeshjet e Bjellorusisë në Serbi, si një vend neutral.
Neutral?
Serbia është një nga vendet e pakta që refuzon sanksionet kundër Rusisë”, shkruan mes të tjera media zvicerane.
Federata Zvicerane e Futbollit priste më shumë nga UEFA dhe gjithashtu shprehu habinë dhe moskuptimin e tyre për zhvillimin e lojës në qytetin e Novi Sadit.
Drejtori për komunikim i federatës zvicerane, Adrian Arnold, për "Blick", ka thënë: “Për shkak të historisë së veçantë me Serbinë, ne jemi të befasuar nga vendimi në të cilin nuk ishte përfshirë Federata Zvicerane e Futbollit.
Zëri ynë nuk u dëgjua.
Ne e pranojmë këtë dhe do të luajmë kundër Bjellorusisë në Novi Sad”.
UEFA argumenton se Zvicra nuk është palë në konfliktin e ndezur mes Serbisë dhe Kosovës.
Takimet
25 mars 2023: Bjellorusi - Zvicër (në Novi Sad/Serbi)
28 mars 2023: Zvicër - Izrael (në Gjenevë)
16 qershor 2023: Andorra – Zvicër
19 qershor 2023: Zvicër - Rumani
9 shtator 2023: Kosovë – Zvicër
12 shtator 2023: Zvicër - Andorra
12 tetor 2023: Izrael - Zvicër
15 tetor 2023: Zvicër - Bjellorusi
18 nëntor 2023: Zvicër - Kosovë
21 nëntor 2023: Rumani - Zvicër