Arsenali bie pas plot 5 muajsh

Futboll

Arsenali bie pas plot 5 muajsh

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 15:34
Everton

Arsenali bie pas plot 5 muajsh dhe 16 ndeshjesh në Premier League. Hera e parë që “topçinjtë” provonin shijen e humbjes në kampionat, ishte ajo e 4 shtatorit ndaj Manchester United në “Old Trafford”.

Që atëherë skuadra e Mikel Artetës nisi një seri rezultatesh pozitive që zgjati 16 ndeshje dhe përfundoi pikërisht sot më 4 shkurt, në tranfertën ndaj Evertonit në “Goodison Park”.

“Toffees” iu falën një goli të mbrojtësit Tarkowski në minutën e 60’, për të marrë 3 pikët në ndeshjen debutuese të trajnerit Sean Dyche në pankinë, teksa ky triumf rrit ndjeshëm shpresat për t’iu larguar zonës së ftohtë të renditjes.

Në “Goodison Park” u zhvillua një 90-minutësh shumë i luftuar dhe me pak raste të pastra, teksa Arteta provoi edhe kartën Jorginho, por pa rezultat, ndërsa në fund nuk mungoi as tensioni mes Zinchenkos dhe Maupay.

Kjo është fitorja e katërt sezonale e Evertonit, që ngjitet në kuotën e 18 pikëve, ndërsa Arsenali mbetet në krye me 50 pikë, por me frikën që Manchester City mund t’i afrohet edhe më shumë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat