Benfica është kthyer prej kohësh në një “supermarket” gjigant për Europën sa i përket merkatos, pasi së fundmi, portugezët arkëtuan miliona euro nga transferimi i Enzo Fernandez drejt Chelsea.
Drejtuesit e klubit tani po mendojnë të ndërhyjnë në merkato, pasi kërkojnë të përforcojnë skuadrën dhe në skenë është shfaqur një “ish”.
Bëhet fjalë për Renato Sanches, i cili aktualisht aktivizohet te PSG, por nuk ka arritur të gjejë versionin e tij më të mirë dhe vit pas viti, mesfushori njeh vetëm ulje në karrierë.
Kështu, Benfica kërkon t’i besojë përsëri dhe ta rikthejë në “shtëpi” pas shtatë vitesh dhe kontaktet e para nisën në fundin e merkatos së janarit, me portugezët që tentuan ta transferonin në sekondat e fundit, por nuk ia dolën.
Mediet portugeze shkruajnë se pavarësisht se dështuan në këtë periudhë, Benfica është e gatshme të bëjë përpjekjen e radhës gjatë merkatos së verës, ku me shumë mundësi do të rikthejë në Lisbonë portugezin, Renato Sanches që ka një kontratë deri në vitin 2027 me PSG.