Alain Giresse ka dhënë një intervistë së fundi, ku ka shpalosur ambiciet e Kombëtares së Kosovës në prag të fillimit të fushatës kualifikuese për Evropianin 2024.
Ai deklaroi se është ndarë i kënaqur me shortin dhe sheh mundësi për ta arritur kualifikimin.
Kosovën e pret një vit i ngjeshur me ndeshje të shumta. Më 25 mars zyrtarisht fillon fushata kualifikuese për Evropianin 2024.
Shorti ka dashur që Kosova të jetë në Grupin I me Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë, Izraelin dhe Andorrën. Për Giresse nuk ka vend për pakënaqësi, pasi shorti ka mundur të ishte akoma më i ndërlikuar.
“Në rrethana të përgjithshme, shorti ka mundur të ishte akoma më i ndërlikuar nëse do t’i kishim pasur dy kombëtare të mëdha.
Kemi pasur mundësinë t’i kishim Francën dhe Gjermaninë në të njëjtin grup.
Ja pse ekziston një mundësi për t’u kualifikuar.
Praktikisht, njëmend ekziston”, tha ai për “France Bleu”.
“Po, në Francë kemi lojtarë cilësorë siç janë Zhegrova ose Zeneli.
Nuk kam problem që ta menaxhoj atë ekip. Të gjithë janë të dëgjueshëm.
Ekziston një shpirt i mirë i skuadrës.
Lojtarët janë të shpërndarë në të gjithë Evropën.
Ka të atillë si kapiteni ynë Rrahmani që luan me Napolin, në një skuadër të një dimensioni të lartë.
Mandej kemi lojtarë të tjerë që luajnë në Spanjë. Kemi një nivel krejtësisht korrekt”, tha Giresse.