Atletico Madrid ngeci në një barazim 1-1 përballë Getafes në “Wanda Metropolitana”.
Djemtë e Diego Simeones e kryesuan sfidën deri shtatë minuta nga fundi, por një penallti u dhuroi miqve pikën e artë.
Trajneri argjentinas analizoi performancën e djemve të tij, ndërkohë që në prononcimin pas ndeshjes nuk i kurseu shigjetimet ndaj teknologjisë VAR.
“Kaluam në avantazh pas shumë vuajtjeve dhe tentuam me çdo mënyrë të dyfishonim.
Skuadra luajti ndeshjen që kishim përgatitur, por në futboll ekzistojnë edhe rrethanat.
Na u akordua një penallti kundër pas një aksioni që nuk na rrezikonte aspak.
Duhet të përmirësohemi, por skuadra po gjen identitetin që kërkojmë.
Episodet nuk na favorizuan. Mungoi një karton i dytë i verdhë dhe një penallti për ne në rastin e ndërhyrjes së Djene ndaj Moratës.
Jemi e vetmja skuadër e La Liga-s që nuk ka përfituar kurrë një penallti në favor gjatë këtij sezoni…
Që prej kur është futur VAR-i, nuk dihet me siguri nëse një gol është i rregullt apo jo.
Teknologjia është një instrument që nuk më pëlqen aspak”, u shpreh Simeone.