Valon Ethemi ka realizuar golin e radhës në Turqi. 25-vjeçari shqiptar zhbllokoi sfidën Istanbulspor-Alanyaspor në minutën e 67’.
Lojtari nga Tetova u nis në sprint, mori një asist nga Eduard Rroca dhe dërgoi topin në rrjetë falë një parabole të bukur.
Ky ishte goli i nëntë sezonal në Superligën turke për Ethemin, i cili numëron edhe tri asiste.
Tetovari është ftuar disa herë nga përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, teksa është aktivizuar në vetëm një ndeshje zyrtare dhe dy miqësore.
Ndërkohë, ky ishte asisti i parë për kapitenin Rroca, i cili ka shënuar edhe një gol.
Për Istanbulsporin debutoi futbollisti Florian Loshaj, i cili u transferua vetëm pak ditë më parë tek ekipi nga Stambolli. Në pjesën e dytë, në fushë për vendasit u aktivizuan edhe Sindrit Guri dhe Jetmir Topalli.