Janë mësuar edhe tri skuadra tjera çerekfinaliste të Kupës së Kosovës, teksa skuadra e fundit që do ta sigurojë biletën për këtë fazë të garave do të përcaktohet nesër.
Në fakt, ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e paraparë të zhvillohej sot në Lipjan, u shty për 24 orë nga Komisioni i Garave, për shkak të kushteve atmosferike dhe ngricave të shumta në fushën e stadiumit “Sami Kelmendi”.
Ndërkohë, Gjilani ka arritur fitore bindëse në duel me Vjosën, me rezultat 4:0.
Të katër golat skuadra e Zekirija Ramadanit i shënoi në pjesën e dytë.
Shifrat i zhbllokoi Theophilus Solomon, në minutën e 49-të, derisa më pas realizuan edhe Mevlan Zeka (53’), Baton Zabërgja (81’) dhe Albert Dabiqaj (85’).
Fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Malisheva, e cila e mundi skuadrën e Ligës së Parë, Fushë Kosovën, me rezultat 2:0. Golat për skuadrën e Malishevës i shënuan Bleart Tolaj (52’) dhe Ronald Sobowale (84’).
E pjesë e fazës çerekfinale do të jetë edhe Behari, skuadër kjo e Ligës së Dytë, e cila para tifozëve të vet e mundi skuadrën tjetër të kësaj kategorie, Prizrenin, me rezultat 3:1.