Hakan Çalhanoglu ka pushtuar botën zikaltër që pasi la Milanin dy sezone më parë dhe iu bashkua Interit si transferim me parametër zero.
Që atëherë mesfushori ka qenë gjithmonë i dashuri i tifozëve të tij të rinj, por edhe shënjestra e atyre të vjetër që nuk ia kanë kursyer ofendimet dhe vërshëllimat në çdo derbi të këtyre dy sezoneve të fundit.
E njëjta situatë edhe në përballjen e së dielës kur ultrasit e Milanit e vendosën jo pak herë në qendër të koreve të tyre, me episodin më të veçantë që i përkiti minutës së 34-t. Me topin e qarkulluar në gjysmëfushën poshtë tribunës së tyre, tifozët kuqezinj nisën koret në drejtim të turkut, ndërkohë që ky i fundit iu drejtua këndit.
Goditja e këndit që do të ekzekutonte mesfushori ishte ajo që dërgoi topin në kokën e Lautaro Martinezit, që shënoi golin që vendosi ndeshjen.
Me një asist në xhep, numri 20 i zikaltërve iu kundërpërgjigj menjëherë tifozëve duke i heshtur me gjestin e gishtit mbi buzë, para se t’u bashkohej shokëve të tij për festimet.
RINOVIMI – E festimet do të zgjasin edhe më shumë për 28-vjeçarin, pasi shumë shpejt mes tij dhe klubit mund të ketë një trokitje gotash me rastin e zgjatjes së kontratës.
Çalhanoglu në regji, ka qenë një nga pikat më të forta të Interit në këtë sezon ku mendohej se dëmtimi i Brozoviçit do të linte një hendek të parikuperueshëm.
Përshtatja e turkut ama ishte aq surprizuese sa është shndërruar në pak kohë në qendrën e projektit zikaltër, madje duke hequr nga lista e të pashitshmëve edhe kroatin e mesfushës.
Në një situatë të tillë dhe me kontratën që i skadon në 2024-ën, tek Interi e kanë kaluar rinovimin e tij në plan të parë.
Në fund të muajit është planifikuar takimi me lojtarin, ndërkohë që Zhang i ka dhënë leje Marotës që ta rrisë ndjeshëm rrogën e tij aktuale prej 5 milionë eurosh.
Me propozimin e ri që mund të mbërrijë në 6 milionë euro, aq sa liderët Lautaro e Barela, gjetja e akordit mes palëve duket afër.