Stefano Pioli dha sugjerimin e parë, pas humbjes në derbi: “Në ditët në vijim do të luajmë me mbrojtjen me 3, pastaj do të shohim fazën sulmuese”.
Pas një janari tmerri, trajneri kuqezi do të përpiqet ta sistemojë sërish “Djallin” me 3-5-2 e parë tashmë me Interin, për të gjetur ekuilibrin, ose ndoshta me 3-4-1-2.
Një zgjedhje që ngre pyetje teknike dhe taktike për përdorimin e Rafael Leaos.
Me skemën e re, portugezi mund të gjente hapësirë vetëm mes dy sulmuesve, nisur nga fjalët që tha trajneri për të justifikuar përjashtimin e “17” të tij nga formacioni startues i derbit: “Doja të luaja me dy sulmues pranë për të vënë në vështirësi mbrojtjen, Leao nuk i ka ato karakteristika.
Pavarësisht se mbeti jashtë në startin e derbit, unë vazhdoj ta synoj atë titullar, padyshim”.
Ndajfolja fundore i hap rrugën hipotezës për të parë sërish sulmuesin e lindur më 1999 në qendër të repartit ofensiv, pranë Giroud. Një rol jo i ri për të.
Leao ka luajtur tashmë si sulmues qendror. Ndërkohë, me kuqezinjtë ka spikatur për sprintet në krahë, por situata aktuale i bën ato kohë të duken si një kujtim i zbehur. Ka ndodhur 40 herë te Milani: 21 në sezonin 2019-2020, 19 në sezonin vijues. Produkti? 8 gola, 3 asiste dhe shumë skepticizëm për vendosjen.
Gjithashtu sepse krahasuar me rezultatet e marra në pozicionin e tij tani, në krahun e majtë, nuk ka lojë. Në dy sezonet e fundit, ai luajti 69 herë në krah, me 23 gola dhe 21 asiste së bashku. Në korsinë e majtë, ai mahniti Serie A, duke fituar titullin e lojtarit më të mirë në vitin e titullit me driblimin e rrufeshëm dhe përshpejtimin.
Megjithatë, Rafa si qendërsulmues nuk është një risi e kuqezinjve. Portugezi kishte luajtur tashmë në qendër të sulmit para mbërritjes së tij në hijen e Katedrales. Në Francë, me Lille, Leao luajti si “9” në 19 raste, midis Ligue 1 dhe Kupës së Francës, më shpesh nga minuta e parë. Nuk shkoi keq, shënoi 7 gola dhe regjistroi 2 asiste.
Duke u kthyer në periudhën e tij në Lisbonë, ai luajti disa ndeshje si qendërsulmues me fanellën e Sportingut, duke shënuar 2 gola në sezonin 2017-2018. Edhe me ekipin B ai ishte i centralizuar në disa raste. 3 nga 12 paraqitjet e tij e shohin atë në krye të repartit sulmues, me 2 gola të shënuar kundrejt gjithsej 7 të tillëve.
Për të ringjallur “Djallin”, arsyetimi i Stefano Piolit përfshin edhe testin e “9”-shit. Duke gjetur ekuilibrin e duhur, Leao mund të jetë kandidati i radhës për qendërsulmuesin kuqezi.