Arabia Saudite ka ofruar që të paguajë për ndërtimin e stadiumeve të reja në Greqi dhe Egjipt, nëse këto dy vende do të pranonin t’i bashkoheshin ofertës së përbashkët për të organizuar Kupën e Botës 2030.
Tri vendet po punojnë së bashku për një kandidaturë të përbashkët, ndërsa kanë konkurrencën e kandidaturave të tjera të përbashkëta nga Europa (Spanjë, Portugali dhe Ukrainë) dhe Amerikës së Jugut (Argjentinë, Uruguai, Paraguai dhe Kili).
Shpallja e fituesit do të vendoset në Kongresin e FIFA-s në 2024-ën, ndërsa çelja e afatit të pranimit të ofertave nisi në qershor 2022.
Arabia Saudite është shumë e vendosur për ta fituar të drejtën e organizimit të Botërorit dhe sipas “POLITICO”, ata kanë ofruar që të paguajnë edhe kostot për vendet e tjera, Greqinë dhe Egjiptin, në këmbim që shteti i pasur i Gjirit të mirëpresë 3/4-at e të gjitha ndeshjeve të turneut.
Një iniciativë e tillë do t’i kushtonte Arabisë miliarda euro për ndërtimin e infrastrukturës, por propozimi është diskutuar gjatë një bisede private në verën e vitit 2022 mes Princit të Kurorës, Mohamed bin Salman dhe kryeministrit të Greqisë, Qirjako Micotaqis. Ata informuan edhe Egjiptin se do të paguajnë të gjithë kostot e turneut nëse luajnë 75% të ndeshjeve në tokën e tyre.