Sulmuesi portugez Joao Felix ka thënë se ai u largua nga Atletico Madrid për t`u bashkuar me Chelsean në formë huazimi, sepse ai po luftonte të mësohej me stilin e lojës së skuadrës spanjolle, duke shtuar se nuk e kishte të lehtë me filozofinë e trajnerit Diego Simeone.
Joao Felix është transferuar në janar te Chelsea dhe deri më tash ka luajtur vetëm një ndeshje, pasi u përjashtua me karton të kuq në debutimin e tij në Premier League kundër Fulhamit, duke u dënuar me tri ndeshje, por do të kthehet në fushë të shtunën kundër West Ham United.
“Kisha kohë që kërkoja një ndryshim, sepse ishte e vështirë për mua të mësohesha me mënyrën e lojës.
U largova sepse po përpiqesha dhe nuk po arrija.
Mendoj se ka qenë mirë për Atleticon dhe për mua gjithashtu”, ka thënë Felix.
Reprezentuesi portugez në vitin 2019 i ishte bashkuar Atleticos nga Benfica për një vlerë prej 126 milionë eurosh.