Një nga kritikat me të cilat është përballur trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka të bëjë me mosbesimin te lojtarët e akademisë së klubit.
Por italiani duket se i ka hedhur poshtë këto kritika dhe shembulli më i fundit ka ardhur të mërkurën nga Botërori i Klubeve.
Në gjysmëfinalen e fituar kundër Al-Ahlit (1- 4) protagonist ka qenë edhe talenti i dalë nga akademia e “Los Blancos”, Serxho Arribas.
Sulmuesi është hedhur në fushë nga Ançeloti në fundin e takimit, duke zëvendësuar Viniciusin.
Dhe atij i kanë mjaftuar vetëm 28 sekonda për të shënuar golin e tij të parë me “Los Blancos”.
Kaq ka mjaftuar që tifozët madrilenë të ndizen, teksa mediat e Madridit i kanë kushtuar jo pak vëmendje atij që cilësohet talenti i dalë nga një familje e thjeshtë, me të atin taksist.
Madje edhe televizioni i klubit i ka kushtuar vëmendje atij, ku ai është takuar me presidentin Perez, i cili nuk e ka kursyer batutën me të.
“Djalosh, vetëm një minutë për të shënuar, vetëm një top”, ka qenë fjala e Perezit për të.