Arteta: Nuk e duam titullin nga Manchester City

Futboll

Arteta: Nuk e duam titullin nga Manchester City

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 11:34
Mikel Arteta

Mikel Arteta e ka sfiduar Arsenalin e tij që të fokusohet te fitimi i titullit të Premier Ligës në fushë dhe të mos shpresojë te ndonjë dënim i mundshëm i rivalëve të Manchester City.

Katër herë kampionët e Premier Ligës janë nën hetim prej ditës së hënë, ndërsa akuzohen se kanë shkelur mbi 100 herë rregullat e “Fair Play”-t Financiar të Premier Ligës gjatë viteve 2009-2018.

Nëse do të shpallen fajtorë, ata rrezikojnë nga zbritja e pikëve deri në një përjashtim të mundshëm nga Premier Liga. Ata i mohojnë akuzat, ndërsa skuadra po lufton me Arsenalin për të fituar titullin e pestë në 6 sezone. Arsenali kryeson +5 pikë, por ka edhe një ndeshje më shumë në dispozicion.

Por përpara ndeshjes së sotme me Brentfordin, ish-ndihmëstrajneri i Mançester Sitit, tha në konferencën për shtyp: “Le të përqendrohemi tek ajo që duhet të bëjmë dhe të fitojmë mjaftueshëm ndeshje që ta fitojmë titullin. Ne duhet të fitojmë të drejtën për ta marrë titullin”.

Tekniku spanjoll i shmangu pyetjet në lidhje me akuzat ndaj ish-skuadrës së tij, ku ai punoi për tri vite si asistent i Pep Guardiolës (2016-‘19) dhe fitoi dy tituj kampion:

“Unë nuk do të bëj asnjë koment për këtë, më vjen keq”. I pyetur nëse ai e kishte të vështirë të heshte duke parë se “Qytetarët” janë rivalët më të afërm të “Topçinjve” të tij, Arteta tha:

“Ne duhet të kujdesemi për kopshtin tonë”.

I ngacmuar më tej nëse ai kishte parë diçka të gabuar të ndodhte në ish-klubin e tij gjatë kësaj periudhe, 40-vjeçari u përgjigj: “Jo”.

Kryesuesit e Premier Ligës mbeten pa dyshen e dëmtuar, Gabriel Zhezus, Mohamed Elneni. Ndeshja e sotme kundër skuadrës së Tomas Frenkut vjen shumë shpejt edhe për Emil Smith-Roun, i cili është duke u riaftësuar nga një problem në kofshë. Strakosha, Janson dhe Onieka janë mungesat e Brentfordit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat