Mbrëmjen e së dielës, Barcelonën e pret një tjetër test i rëndësishëm në LaLiga me katalanasit që përballen në transfertë kundër Villareal.
Në konferencën për shtyp, trajneri i blaugranave Xavi Hernandez u fokusua së tepërmi tek e ardhmja e Ansu Fati që gjithnjë e më shumë po vendoset në diskutim si pasojë e një interesimi nga Manchester United.
Megjithatë, Xavi këmbënguli se talenti i akademisë nuk është në shitje dhe se ai e drejtuesit e klubit i besojnë për të tashmen dhe të ardhmen.
“Unë e konsideroj Ansu Fati si një lojtar të patransferueshëm nga klubet e tjera.
Pastaj nuk e kuptoj pse flitet për merkato në një moment që ajo është e mbyllur.
Ansu Fati është një lojtar thelbësor për Barcelonën dhe unë kam shumë besim tek ai.
Është një lojtar i së tashmes dhe së ardhmes.
Gjithnjë kur bisedoj me Ansu Fati ia bëj të qartë se pres shumë nga ai, por duhet të tregoj edhe shumë durim.
Këtë e kam në fakt për të gjithë lojtarët e rinj, sepse shpeshherë ata nxitohen.
E kërkojnë suksesin në një mënyrë të shpejtë. Më lejoni t’ju jap një shembull, unë për tre vite kam mbajtur fanellën me numrin 26 e nuk mendoja për ta ndryshuar si një mënyrë për të treguar rëndësinë në skuadër”, u shpreh Xavi Hernandez.