Aventura e Nathan Jones në stolin e Southampton zgjati vetëm 14 ndeshje.
49-vjeçari nga Uellsi, mori drejtimin e “Shenjtorëve” në nëntorin e vitit të kaluar.
Jones zëvendësoi austriakun Ralph Hasenhuttl, por nuk ia doli të rikthente ish-skuadrën e Armando Brojës te rezultatet pozitive.
Southampton renditet në vendin e fundit në Premier League me 15 pikë të grumbulluara në 22 javë kampionat.
Humbja 1-2 ndaj Wolves ishte e treta radhazi. “Ujqit” përmbysën rezultatin me dhjetë lojtarë dhe ndikuan që drejtuesit e Southamptonit të shkarkonin trajnerin Jones.
Skuadra i është besuar për momentin zv trajnerit Ruben Selles. Spanjolli do të jetë në stol në takimin e ardhshëm në kampionat përballë Chelsea.
Dy emrat që kanë dalë në skenë për pasuesin e Jones janë Steven Gerrard dhe Frank Lampard, të cilët nuk kanë shumë që mbyllën aventurat e tyre në stolat e Aston Villa dhe Everton.