A ju tremb Tottenhami? Sigurisht që po, por nëse Milani e shikon historikun e kësaj dite ndoshta sonte do të hyjë në fushë pak më i qetë.
Në fakt, në 14 ndeshjet zyrtare të luajtura në ditën e Shën Valentinit (14 shkurt), kuqezinjtë kanë numrat në favor të tyre: vetëm 1 humbje (pjesa tjetër 5 fitore dhe 8 barazime).
E paharrueshme ishte gjysmëfinalja e Kupës së Italisë kundër Napolit, e cila u zhvillua më 14 shkurt 1990 në “San Paolo”. Ndeshja përfundoi 3-1 në favor të “Djallit”, falë dygolëshit të Massaro dhe “rrjetës” së Van Basten. Edhe në Serie A, dita e Shën Valentinit i solli fat Milanit.
Ndeshjet më të fundit përfshijnë fitoren 2-1 kundër Genoa në sezonin 2015-2016, me golat e Bacca dhe Honda; dhe kundër Bologna më 2014, me rezultatin 1-0, nënshkruar nga Balotelli. Të dyja këto ndeshje u luajtën në “San Siro”. Sukseset më të vjetra datojnë më 1999, përsëri në Milano kundër Venecias (2-1), me golat e Guglielminpietro dhe Ganz, si dhe më 1965 kundër Torinos jashtë, gjithashtu 2-1, me golat brazilianë të Amarildo dhe José Altafini.
Tetë ishin barazimet, nga të cilat kujtojmë 1-1 më 1993 në Bergamo dhe 1-1 kundër Sampdoria, një herë në “San Siro” (1954) dhe tjetrin në “Marassi” (1971), si dhe 2-2 kundër Romës në “Olimpico” më 1960. Një seri rezultatesh pozitive në 5 ndeshjet e ardhshme, duke përfshirë fitoren 5-3 kundër Interit.
Barazimet e tjera datojnë në vitin 1988 kundër Ascolit jashtë (1-1), kundër Vicenza në “San Siro” (1-1) më 1943 dhe kundër Sampierdarenese, gjithashtu në Milano, më 1937 (2-2). Një precedent ka edhe në Champions League, në ndeshjen e vitit 2001 kundër PSG-së, që përfundoi 1-1.
Në këtë seri statistikash pozitive, megjithatë, ka vetëm një rezultat negativ. Humbja e vetme në historinë e Milanit në ditën e Shën Valentinit daton më 1982, kur Juventusi i Trapattonit, në “Comunale di Torino” mposhti kuqezinjtë në ndeshjen e 19-të të Serie A, me rezultatin 3-2. Ndeshja u vendos nga një “hat-trick” i Giussepe Galderisi (Collovati dhe Antonelli shënuan për kuqezinjtë).