Kthimi i tij në Torino në verë u prit me entuziazëm, por në fund aventura e re e Paul Pogba me Juventus-in ende nuk ka filluar.
Francezi nuk ka debutuar për asnjë minutë këtë sezon.
Ai dukej gati të dilte në fushë në ndeshjen që po zhvillohej në shtëpi kundër Monza-s, duke hyrë si zëvendësues, por ecuria e ndeshjes, të cilën bardhezinjtë e humbën më pas 0-2, bëri që Massimiliano Allegri të zgjedhë edhe Dushan Vlahoviq, për të cilin bëhej fjalë gjithashtu për një rikthim, në përpjekje për të rikuperuar rezultatin.
Pas ndeshjes ndaj Monza-s, megjithatë, ka dalë një problem i ri.
Pogba në fakt ka pësuar një dëmtim të ri që e detyroi të humbasë ndeshjet e fundit. Rikthimi, megjithatë, në këtë rast duket i afërt: mesfushori francez në fakt mund të jetë sërish në dispozicion për ndeshjen kundër Nantes në Europa League.
Problemet e vazhdueshme fizike, megjithatë, po e bëjnë ambientin e Juventus-it të humbë durimin, tashmë të mërzitur nga qëndrimet e Pogba në fillim të sezonit.
Francezi, i cili shpresonte të luante në Kupën e Botës, injoroi këshillat e klubit dhe rekomandimin për t’iu nënshtruar një operacioni.
Të gjitha këto vonesa të reja dhe fakti që lojtari nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje, siç thekson ‘Fichajes.net’, rrezikojnë ta shtyjnë klubin të marrë një vendim drastik.
Në fakt, Juventus është shumë i zemëruar dhe nga Spanja madje spekulojnë një lamtumirë të mundshme të lojtarit në merkaton e verës.
Shumë do të varet si nga aktivizimi i Pogba për pjesën tjetër të sezonit, ashtu edhe nga Juventusi, i penalizuar në sezonin aktual dhe kualifikimi i të cilit në kompeticionet e ardhshme europiane duket të jetë mjaft i rrezikuar.