Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë pjesë në varrimin e trajnerit të famshëm kroat, Mirosllav Çiro Bllazheviq.
Ademi së bashku me shumë personalitete i dhanë lamtumirën e fundit Çiros, i cili sot u varros me nderimet me të larta shtetërore në Kroaci.
“Në mesin e shumë personaliteteve të shquara të institucioneve kroate dhe legjendave të futbollit për t'ia dhënë lamtumirën trajnerit që la gjurmë në botën e futbollit, Mirosllav Çiro Bllazheviq.
Çiro ishte dhe mbetet "trajneri i të gjithë trajnerëve", derisa ishte shumë i dashur dhe i veçantë edhe për komunitetin e futbollit në Kosovë, për dashurinë dhe pasionin që shfaqi për zhvillimin e futbollit tonë sa ishte trajner i Prishtinës.
Në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë u shpreha ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes, dy vajzave dhe djalit të tij, por edhe presidentin të Federatës Kroate, Marijan Kustiq dhe shumë ish-lojtarëve të tij, në mesin e të cilëve ishte edhe Ardian Kozniku.
Çiro do të mbahet mend për karizmin dhe rezultatet e tij, derisa njohuritë e tij mbi futbollin do të jenë frymëzim për brezat e rinj.
Lamtumirë Legjendë!
Faleminderit për kontributin e dhënë për futbollin e Kosovës!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.