Barazimi 2:2 në shtëpi që komplikon vazhdimësinë në Ligën e Europës ndoshta nuk ishte lajmi më i keq që ka marrë Barcelona sot.
Katalanasit duhet të vuajnë për të siguruar turin tjetër në këtë turne në Angli, por do ta bëjnë pa pasur në radhët e tyre një lojtar i cili ka qenë i padiskutueshëm për Xavin, mesfushorin Pedri.
Sipas mediave spanjolle, lojtari ka një këputje muskulore në këmbën e djathtë dhe kjo ishte ajo që e detyroi të dilte para kohe nga fusha e lojës.
Priten vizita më të hollësishme por në Spanjë insistojnë se dëmtimi i tij mund ta lërë jashtë fushës së lojës për rreth katër javë.
Kështu, ai mund të humbasë si ndeshjen e kthimit ndaj Manchester Utd, ashtu edhe sfidën e parë në Kupën e Mbretit ndaj Real Madrid, teksa është në dyshim edhe për “El Clasico” të kampionatit më 19 mars.