Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të javës së 16-të në Kategorinë e Parë.
Flamurtari mposhti 1-0 Turbinën falë golit të Silvestër Shkallës në pjesën e parë.
Suksesi i sotëm ka ngjitur kuqezinjtë nga Vlora në vendin e dytë me 29 pikë, dy pikë më pak se Dinamo kryesuese, që luan nesër në Burrel.
Feston edhe Tomori. Skuadra beratase triumfoi 2-1 kundër Tërbunit.
Jeton Krasniqi kaloi pukjanët në avantazh, por vendasit përmbysën rezultatin falë penalltive të Arbër Deliut dhe Lauren Ismailajt.
Barazim 2-2 mes Besëlidhjes dhe Lushnjes. Katër golat u realizuan në fraksionin e dytë të ndeshjes.
Mikel Canka dhe Brunild Pepa shënuan për lagunarët, ndërsa dygolëshi i Henrik Brukës evitoi humbjen e skuadrës lezhiane.