Dinamo merr një goditje në Kategorinë e Parë me blutë që u mposhtën në transfertë me Burrelin.
Kryeqytetasit u penalizuan nga një gol i Ferrukut në minutën e 65-të të pjesës së dytë, teksa rihapen edhe një herë llogaritë për vendin e parë duke qenë se rivalët e Dinamos ia dolën të fitonin në këtë javë të 16-të.
Skënderbeu nuk fali në shtëpi duke mposhtur me rezultatin 4-1 skuadrën e Orikut.
Juglindorët shënuan nga dy gola për pjesë teksa ai që hapi llogaritë e sfidës ishte Abdeen Temitope në minutën e 29-të teksa në të 41-tën shënoi Abubakari.
Në fraksionin e dytë, Dede shënoi për miqtë megjithatë, bardhekuqtë ishin të vendosur për të dalë me pikët e plota teksa gjetën rrugën e rrjetës me anë të Pescanit dhe Vecajt.
Pas kësaj fitoreje, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 30 pikëve në vendin e dytë, një më pak se Dinamo kryesuese.
Nga ana tjetër, Oriku është në vendin e 12-të me 15 pikë. Në ndeshjet e tjera, Apolonia dhe Besa barazuan pa gola me fierakët që mbeten në vendin e 10-të me 18 pikë ndërsa kavajasit janë në vend të pestë me 24 pikë.
Ndërkohë, Luzi mposhti me rezultatin minimal 1-0 Korabin teksa goli vendimtar u shënua nga Treni në minutën e 47-të të pjesës së parë.
Pas këtij suksesi, Luzi është në vend të gjashtë me 21 pikë ndërsa Korabi mbetet me 26 pikë në vend të katërt.