PSG u rikthye te fitorja pas tri humbjeve radhazi. Skuadra e Christophe Galtier triumfoi 4-3 përballë Lille, sfidë që u vendos nga goli i Leo Messit në minutat shtesë.
Kampionët e Francës humbën shërbimet e Neymar. Braziliani dëmtoi kyçin e këmbës dhe u largua nga fusha me barelë. “Ai pësoi një ndrydhje. Nuk e dimë sa serioz është dëmtimi i tij.
Të presim analizat”, deklaroi trajneri i PSG-së.
Galtier ka kritika edhe për skuadrën: “Për 40 minuta nuk ishim fare prezent në ndeshje, e pamundur të mohohet.
Është e papranueshme të ndodhë kjo gjë në këtë fazë të sezonit”, u shpreh Galtier. PSG kryeson kampionatin me diferencë pikësh nga Monaco.
Fokusi është te ndeshja e kthimit ndaj Bayern Munchen. PSG humbi 0-1 në “Parc des Princes” dhe do të tentojë përmbysjen e kualifikimin në çerekfinalet e Champions League në Bavari (8 mars).