Pesë vjet pas natës së tmerrshme në Kiev dhe finales së Champions League që ndryshoi negativisht karrierën e tij, Loris Karius do të luajë sërish një ndeshje të vetme me një trofe në lojë.
Gjermani e ka hapur rrugën për një fanellë si titullar për të dielën në Wembley, në sfidën që do t’i japë titullin ose Newcastle-it të tij ose Manchester United.
Portieri titullar, Nick Pope, u skualifikua ndërsa zëvendësi i tij, Martin Dubravka, nuk mund të luajë në Carabao Cup pasi ka luajtur tashmë me një fanellë tjetër (pikërisht atë të Manchester United).
Pra, këtu është shansi i jetës, ai i shëlbimit, për Loris Karius.
Në lidhje me finalen dhe situatën e portierit gjerman ka folur edhe shoku i tij i skuadrës Callum Wilson në një intervistë për BBC.
“Ajo ndeshje (Real Madrid-Liverpool në finalen e Champions League) e ka çuar në rënie të lirë karrierën e tij.
Dhe tani ai duhet t’u tregojë shumë njerëzve se çfarë është në gjendje të bëj”, tha Callum Wilson për Karius dhe gafat në Kiev.
“Ai është sigurisht më i motivuari nga të gjithë në përpjekjen për të ndryshuar opinionin e të gjithëve.
Ka kaq shumë faktorë emocionalë që do ta bëjnë atë ditë të veçantë”.