Ramush Ramadani është në qendër të kritikave nga disa tifozë, pasi që humbi një rast ideal në ndeshjen me Malishevën.
Futbolli nuk do të ishte i bukur sikur gjithmonë favoritët të fitonin apo rastet të realizoheshin në gola.
Kryetari i KF Ferizaj, Lulzim Abazi, i del në mbrojtje futbollistit dhe thotë se tani veç po përgatiten për sfidën e radhës, e cila luhet të shtunën në Ferizaj.
“Të nderuar tifozë të klubit tonë, shfrytëzoj rastin të ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme, e sidomos në ndeshjen e fundit vendas, ndaj Prishtinës.
Pa ju, ne nuk do të ekzistonim si klub.
Ndeshja e djeshme kundër Malishevës mund të përfundonte me fitoren tonë, por mos harroni se ne edhe mund të kishim humbur. Kjo është e bukura e lojës së futbollit.
Dje, por edhe sot gjatë ditës kam lexuar shumë komente negative në drejtim të lojtarit tonë, Ramush Ramadanit. Si president i klubit, ju lutem që me mirëkuptim të kurseni lojtarin nga komentet negative.
Ramushi është në qendër të projektit tonë, lojtar i ri dhe me shumë talent.
Për momentin nuk është në formën e tij më të mirë, gjë që vërehet edhe në fushën e lojës.
Edhe vet ai është i vetëdijshëm dhe po e vuan më shumë se të gjithë ne gjendjen momentale.
Mos ta kryqëzojmë, ai e do fanellën kaltër e bardh, ai është njëri prej nesh dhe nuk i ndihmojnë komentet negative.
Ju presim të shtunën në stadium në ndeshjen kundër Dritës, si çdo herë me bindjen se pikët e plota do mbesin në Ferizaj”, ka reaguar Abazi.
Nga tre ndeshje e stinorit pranveror, Ferizaj ka një ecuri fantastike, dy barazime në udhëtim (1:1) me Gjilanin dhe (1:1) me Malishevën, si dhe fitorja (1:0) si vendas ndaj Prishtinës.
Një ecuri që i jep forcë Ferizajt që gradualisht t'i shmanget fundit madje edhe t'i ikë barazhit.
Ferizaj është në fund të renditjes me 18 pikë të mbledhura pas 21 jave në elitën e futbollit të Kosovës.