Afati kalimtar i pafund, por rezultate të dobëta në fushën e blertë. Chelsea po vuan, në katër takimet e fundit në Premier League ka grumbulluar vetëm tri pikë.
Mes tyre dhe humbja 1-0 ndaj Dortmundit në Champions League.
Graham Potter rrezikon shkarkimin, por drejtuesit vazhdojnë të besojnë te 47-vjeçari anglez.
Ky i fundit foli për shtypin përpara derbit të së dielës ndaj Tottenhamit, sfidë ku tifozët presin kthesën e madhe.
“Kam biseduar me drejtuesit, por është gjithmonë e njëjta histori.
Unë kam katër muaj që ndodhem nën presion. Një gjë e tillë vazhdon, presioni është gjithmonë prezent. Drejtuesit janë treguar të mrekullueshëm.
Ata janë të zemëruar me rezultatet, kështu që duhet të bëjmë më mirë se kaq. Unë jam tepër i përfshirë në punën time, por duhet të bindim tifozët duke u rikthyer te fitoret”, deklaroi Potter.
Chelsea renditet në vendin e dhjetë në kampionat me 31 pikë. Tottenhami i vendit të katërt, që ka luajtur një takim më shumë, ndodhet 11 pikë larg.