Markus Rashford ka zbuluar sesi Luis van Gal e ka shndërruar në një lojtar dhe njeri të disiplinuar për shkak të rreptësisë së tij në “Old Trafford”.
Trajneri holandez, i cili i dhuroi sulmuesit edhe shansin e debutimit me skuadrën e parë të “Djajve”, e gjobiste çdo ditë të enjte.
Rashford debutoi me skuadrën e parë në vitin 2016, ndërsa la menjëherë gjurmë duke shënuar dy gola mes debutimit në Ligën e Europës dhe Premier Ligës vetëm në pak ditë diferencë.
Megjithatë, shpërthimi i tij nuk e ndihmoi që të kishte një trajtim preferencial nga Van Gal.
Dhe 25-vjeçari tha për “Sky Sports” se ai e gjobiste pasi vinte vonë në stërvitje çdo të enjte: “Më kujtohen ditët e enjte. Unë gjobitesha çdo të enjte, por ishte diçka përtej kontrollit tim, por i tillë njeri ishte Van Gal.
Ai më thoshte se unë duhet të përfundoj detyrat në kolegj, kjo ishte e panegociueshme, por në të njëjtën kohë unë nuk mund të bëhesha vonë as në stërvitje, edhe kjo e panegociueshme. Unë kisha vetëm 12 minuta kohë për të shkuar nga kolegji në stërvitje”.
Van Gal, sot 71 vjeç, u largua nga Junajtidi në fund të atij sezoni pasi fitoi Kupën FA.
Golashënuesi më i mirë i Mançesterit këtë sezon ka ruajtur respektin maksimal për ish-trajnerin e tij, ndërsa ai bëri një postim inkurajues për të pasi trajneri njoftoi se vuante nga kanceri i prostatës.
“Unë e fitova të drejtën e debutimit të tij nga Luis van Gali. Do t’i jem përgjithnjë borxhli.
Ti mund ta luftosh këtë sëmundje.
Ne jemi të gjithë pas teje”, shkroi atëherë produkti i akademisë së “Djajve”.
Ndërsa në lidhje me zhvillimin e tij si lojtar, sulmuesi shtoi: “Koha me Luisin ishte shumë e mirë për mua. Ai dhe Rajan Gigs më ndihmuan shumë.
Sepse ai tranzicion nga rezervat në skuadrën e parë mund të jetë shumë i vështirë. Unë nuk kisha luajtur shumë me rezervat”.