I ardhur me shumë bujë në merkaton e verës nga Manchester City, sulmuesi anglez Raheem Sterling nuk po arrin të tregojë ende më të mirën e tij me fanellën e Chelsea.
Në 18 ndeshje në Premier League ai ka realizuar vetëm 4 gola, shumë larg asaj që pritet prej tij.
Për pasojë, në merkaton e janarit erdhën edhe mjaft emra të tjerë te skuadra londineze, duke e bërë edhe më të vështirë detyrën e Sterling, që tani ka një konkurrencë më të madhe.
Për këtë arsye, aventura e lojtarit me Chelsea mund të mbyllet shumë shpejt, pas vetëm një sezoni.
Sipas “Sky Sports”, për lojtarin është interesuar së fundi Arsenal edhe pse agjenti i Sterling ka mohuar gjithçka për momentin.
“Sterling nuk ka shprehur asnjëherë pakënaqësi në adresë të Chelsea. Ka një kontratë afatgjatë (2027) dhe nuk besojmë se do të kenë ndonjë surprizë këtë verë”, tha Kelly Hogarth, menaxheri i Sterling.
Gjithsesi, duket se Sterling nuk ndihet shumë i kënaqur te Chelsea dhe kohët e fundit nuk po luan shumë, ndaj dhe largimi i tij mund të ndodhë më shpejt se sa kontrata. Arsenal është gati të hidhet në sulm për të siguruar shërbimet e 28-vjeçarit anglez.