Një telenovelë që vazhdon prej vitesh, por që mund të ketë ardhur realisht në kapitullin e fundit. Për Marco Asensio, e ardhmja duket se është shumë larg Real Madridit.
Një zgjedhje që bie ndesh me vullnetin e Ancelottit, i cili nuk do të kishte problem që vitin e ardhshëm ta kishte në ekip 26-vjeçarin nga Malaga, i cili përfaqëson një alternativë të vlefshme nga stoli.
Megjithatë, klubi ka më shumë se një dyshim për rinovimin e Asensio-s dhe kështu lamtumira tani duket se është një punë e përfunduar.
Por për të shkuar ku?
Destinacioni mund të jetë një surprizë e vërtetë, duke pasur parasysh klubet e shumta që kanë shfaqur interes për futbollistin.
Në Itali, Juventusi dhe Milani janë përfolur vazhdimisht për një interesim ndaj Asensio-s, një emër që ka përfunduar edhe në orbitën e Bayern Munich dhe PSG-së, pa llogaritur klubet e Premier League, me Arsenalin në krye dhe Manchester United gjithashtu shumë të interesuar.
Një listë e gjatë që mund të vazhdojë pafundësisht, edhe nëse zgjedhja duket se tashmë është bërë.
Në fakt, Real Madrid beson se Asensio tashmë ka arritur një marrëveshje në parim me klubin e tij të ri dhe se ajo nuk do të zyrtarizohet sepse menaxheri i tij, Jorge Mendes, po përpiqet të përmirësojë bonusin e nënshkrimit.
Zgjedhja, sipas raportimeve të ‘elnacional.com’, do të kishte rënë mbi Newcastle, një klub ambicioz që po fillon të korrë frytet e para të investimeve të bëra nga pronarët e ri.
Skuadra aktualisht është në vendin e pestë në Premier League dhe ka shansin për të rrëmbyer një kualifikim surprizë në edicionin e ardhshëm të Champions League. Një mundësi që do ta shtynte Asension edhe më tej në krahët e klubit anglez.