Flamurtari koleksionoi të tretën fitore radhazi në Kategorinë e Parë teksa mposhti në shtëpi me rezultatin 3-0, Lushnjen. Vlonjatët nuk e vendosën për asnjë moment në diskutim suksesin ndërsa e zhbllokuan sfidën në minutën e tretë me anë të Jurit që realizoi pas një aksioni model.
Goli i dytë vonoi, teksa kuqezinjtë iu falën një autogoli dy minuta para fundit të pjesës së parë me Bashën që gaboi duke devijuar sferën në portën e tij.
Sa i përket pjesës së dytë, Flamurtari menaxhoi më së miri avantazhin duke mos i lënë mundësi reagimi miqve ndërsa në të 70-tën, Beqja mbylli çdo llogari pasi shënoi të tretin me një goditje të fortë brenda zonës.
Pas këtij trepikëshi, të besuarit e trajnerit Marcello Troisi mbajnë vendin e parë me 35 pikë, të ndjekur nga Dinamo e Skënderbeu me një pikë më pak.
Nga ana tjetër, Lushnja mbetet në pozita të vështira teksa renditet e parafundit me 18 pikë.