Liverpuli do të presë në “Anfield” Mançester Junajtid në derbin e Anglisë që pritet të ndezë këtë fundjavë në Premier Ligë. “Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj statistikat më interesante të këtij dueli.
Liverpuli është i pamposhtur në 6 ndeshjet në shtëpi të kampionatit kundër Mançester Junajtidit (3 fitore, 3 barazime) që prej disfatës 1-0 në janar 2016. Është seria më e gjatë pa u mundur nga “Djajtë” në “Anfield” që prej 9 ndeshjeve radhazi 1970-‘79.
Rekordi i tetë fitoreve të dyfishta gjatë një sezoni të Premier Ligës kundër Liverpulit është rekordi më i thellë i “Djajve” kundër një rivaleje. Ata mund t’i mundin “Reds”-at dy herë brenda të njëjtit sezon për herë të parë prej sezonit 2015-‘16.
Junajtidi ka shënuar vetëm 1 gol në 7 ndeshjet e tyre të fundit në “Anfield” në të gjitha kompeticionet. Ata mund të dështojnë ta gjejnë rrugën e golit në katër vizita radhazi vetëm për herë të dytë në histori. Për herë të parë ndodhi në vitin 1992.
Mohamed Salah është vetëm 1 gol larg barazimit të rekordit të Robi Faulerit në Premier Ligë (128 gola). Ai është shënuesi rekordmen i Liverpulit kundër Junajtidit (10 gola në të gjitha kompeticionet, përfshirë 9 në 5 përballjet e fundit).
Sulmuesi egjiptian ka shënuar të paktën 20 gola në të gjitha kompeticionet në të gjashta sezonet e tij me Liverpulin. Ai ka realizuar 8 gola në Premier Ligë kundër Junajtidit. Vetëm Alan Shirer (10 gola) u ka shënuar më shumë “Djajve”.
Junajtidi ka fituar 23 pikë që pas Kupës së Botës. Asnjë skuadër nuk ka grumbulluar më shumë pikë gjatë kësaj periudhe.
“Djajtë” mund të arrijnë në kuotën e 50 pikëve pas 25 javësh në Premier Ligë vetëm për herë të dytë që prej tërheqjes së Sër Aleks Fergusonit në vitin 2013.
Ata arritën kuotën e 53 pikëve në sezonin 2017-‘18 me Murinjon në stol, të cilin e mbyllën në vend të dytë.
Markus Rashford ka shënuar 6 gola kundër Liverpulit që prej sezonit 2017- ‘18, më shumë se çdo lojtar tjetër bashkë me Herri Kejnin e Totenhemit. Por sulmuesi më i mirë i “Djajve” këtë sezon nuk e ka tundur ende rrjetën në “Anfield”.
Rashford ka shënuar 10 gola në 10 ndeshjet e fundit në Premier Ligë. Ai e ka gjetur rrugën e rrjetës në secilën prej 5 ndeshjeve të tij të fundit. Vetëm tre lojtarë të ndryshëm të Junajtidit kanë shënuar në 6 ndeshje radhazi: Rud van Nistelroi (në tri raste të veçanta), Erik Kantona (prill 1996) dhe Kristiano Ronaldo (prill 2008).