Nga notat e famshme të “notti magiche” (netët magjike) të Italia ’90 në…
Pekin Express me një sy gjithmonë në botën e futbollit. Salvatore Totò Schillaci, ish-sulmuesi historik i Messina-s, Juventus-it dhe Interit ndër të tjera, ka qenë një nga protagonistët e edicionit të ri të spektaklit të Sky.
Por sigurisht që ai nuk mund të harrojë të kaluarën e tij si futbollist dhe nuk mund të mos i hedhë një sy edhe aktualitetit të kampionatit italian të futbollit.
Në një intervistë të dhënë për SportWeek, revistën e La Gazzetta dello Sport, ish-lojtari ka rikujtuar disa etapa të karrierës së tij, por ka bërë edhe një batutë për futbollin e sotëm:
“A e ndjek Serinë A? Shumë ndeshje më mërzitin, më zë gjumi para televizorit. Ka shumë taktika, topi luhet më shumë prapa sesa përpara”, ka thënë Schillacci.
“Më shumë portierë prekin topin sesa sulmues. Më pëlqen futbolli anglez më shumë: i hapur, i shpejtë, i guximshëm. Edhe me rezultatin 3-0, askush nuk dorëzohet”.
Legjenda e futbollit italian ka folur edhe për situatën e vështirë që po kalon Juventus-i dhe hetimet që lidhen me të: “Më vjen keq, veçanërisht për tifozët”, tha Schillacci.