Maurizio Sarri dhe Lazio e tij dolën me “kokën poshtë” pas ndeshjes së parë në Conference League ndaj Az Alkmaar.
Në sfidën e vlefshme për fazën e 1/8-tave, bardhekaltërit u mposhtën në Olimpico nga holandezët me rezultatin 1-2 duke i ulur shanset për një biletë në çerekfinale.
Pas sfidës, trajneri Sarri u shpreh se rezultati ishte paksa i gënjeshtërt, ndërsa shtoi se i duhen më shumë alternative në organikë.
“Në pjesën e parë bëmë mirë, por më pas ndryshoi sjellja në fushë.
Nisëm të qarkullonim topin në zonën tonë dhe kjo i lejoi kundërshtarët të na sulmonin lart.
Ndërmorrëm shumë rrisqe duke kërkuar të ndërtonim lojën nga mbrojtja.
Për të përmbysur këtë rezultat do të duhet një kurajo e madhe dhe 90-minutat e ardhshme t’i luajmë si 25 minutat e para në Olimpico.
Zëvendësuesi i Immobile? Nëse do të ishte në dorën time, ashtu si të gjithë trajnerët do të merrja edhe 50 futbollistë të tjerë. Nuk ishim në kushtet e duhura dhe mendova të përdor Felipe Anderson i cili e pranoi rolin e ri.
Një lojtar që merr vendin e Immobile duhet të ketë shumë vlera pasi përndryshe është e kotë.
Në tërësi mendoj se rezultati është paksa i gënjeshtërt duke pasur parasysh edhe mundësitë për gol që u krijuan nga të dyja skuadrat”, u shpreh Sarri.