Në barazimin e ditës së diel ndaj Teutës, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, zgjodhi që të mos e aktivizojë lojtarin nga Kosova, Liridon Latifin.
Në pushimin e takimit, edhe pse shkodranët nuk po dilnin në lojën e tyre, u mendua se tekniku kryeqytetas do të ndërhynte duke bërë ndonjë lëvizje.
Fillimisht në nxehje u ngri Kruja, por edhe ai nuk u aktivizua.
Dy ndërrimet e para erdhën në minutën e 57-të kur Ardit Hoxhaj zëvendësoi Çoben dhe Alivoda mori vendin e Markut.
Ndërkohë, në nxehje vazhduan të jenë sërish Kaina, Kruja dhe Heriç.
Por gjatë këtyre momenteve tifozët shkodranë të pranishëm në “Niko Dovana” i kanë kërkuar Josës aktivizimin e Latifit, që ishte i pranishëm në stolin e rezervave.
Gjë që nuk u bë realitet nga tekniku i cili nuk e hodhi në fushë lojtarin i cili nuk është ende në formën optimale.