Ballkani - Drita, të jesh apo të mos jesh!
Java e 24-të sjell nesër (13.00) derbin e Kampionatit të Kosovës, mes Ballkanit të Therandës dje Dritës së Gjilanit.
Arsim Thaçi, kryetrajner i Dritës, fillimisht e vlerësoi lartë ndeshjen e kësaj jave, duke thënë se po takohen dy skuadrat më cilësore që jo rastësisht janë në kreun e tabelës.
FC Drita ka bërë përgatitjet e kërkuara, ndërsa sipas trajnerit, Arsim Thapi kërkohet durim dhe maturi.
“Ndeshjet kur ekipet janë cilësore, të nivelizuara ndeshjen e vendosin detajet.
Ne kemi marrë masat me ekipin kemi punu në atë drejtim, që mos t’ia lëmë rastit dhe eventualisht t’I shfrytëzojmë rastet e mira që na krijohen dhe ta arrijmë fitore që do të na kthente në pozitën e parë.
Nuk është ndeshje e lehtë, sepse edhe Ballkani ka bërë ndeshje të mira, kemi përafërsisht cilësitë e barabarta dhe duhet të kemi edhe durimin e duhur që të vendosim ndeshjen nga një moment i caktuar”, theksoi Thaçi.
Sa i përket formës së lojtarëve dhe ekipit në përgjithësi, sulmuesi Marko Simonovski nuk është i gatshëm për këtë ndeshje.
“Në qoftë se te skuadrat tjera është një futbollist që shënon, Drita ka lojtarë në fazën e sulmit që shënojnë qoftë Selmani, Baftiu, Ajzeraj, Kryeziu apo Arditi.
Janë një grup i lojtarëve me cilësi ofanzive, kanë cilësi individuale të jashtëzakonshme mirëpo lojtari që krijon hapësirë dhe që janë mësu me luajt me të është Simonovski dhe mungesa e tij po shkakton konfuzion.
Do ta kemi durimin deri në rikuperim dhe momentin që kthehet do ta kemi më të qartë repartin e sulmit”, potencoi Thaçi.
Trajneri i Dritës foli pak edhe për ndeshjen e derbit lokal që vjen xhiros tjetër, për çka tha se jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme.
“Lojtarët e Dritës janë mësuar me ndeshje derbi qoftë për t’u bërë kampion, dal në Evropë apo edhe derbi lokalë.
Kanë eksperiencën e duhur, cilësinë e mjaftueshme dhe dijnë t’i menaxhojnë qoftë emocionet qoftë pjesën profesionale. Ne jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme, pastaj sigurisht edhe te derbi”, përfundoi Thaçi.