Miliona euro për Asllanin dhe Belanovën

Futboll

Miliona euro për Asllanin dhe Belanovën

Më: 9 mars 2023 Në ora: 15:11
Asllani dhe Belanova

Të zhdukur, i ka konsideruar “La Gazzetta dello Sport” Kristjan Asllanin dhe Raul Belanovën në një analizë mbi sezonin aktual të dyshes së re të Interit.

Të mbërritur në verën që lamë pas, asnjëri prej të dyve nuk shfaqet më jo vetëm si titullarë, por as në rrotacionet e trajnerit Inzagi.Pesë ndeshje si titullarë në total për të dy, shqiptari dhe italiani duket se kanë një të tashme të ngjashme, por një të ardhme të ndryshme.

Menaxhimi teknik i talenteve ka ngjallur një farë hutimi, brenda dhe jashtë Interit, mbi të gjitha nëse konsideron 14 milionë eurot për blerjen e elbasanasit dhe 3 për huazimin e Belanovës, që është i destinuar të lërë zikaltrit në fund të sezonit.

Çështja kryesore ka të bëjë me Asllanin, i ndalur në mënyrë të pashpjegueshme në 555 minuta të luajtura në total. 20- vjeçari nuk po ia del të gjejë hapësirë dhe minuta të mjaftueshme dhe, duke lënë mënjanë diskutimin mbi aktivizimin e Galjardinit ndaj Leçes, si një lojtar në skadencë kontrate, shpërthimin e Çalhanoglusë në regji dhe rikthimin e Brozoviçit, asnjëra prej tyre nuk është arsye e mjaftueshme për minutat e pakta të Asllanit, duke parë besimin e klubit tek ai.

Kënaqësia e drejtuesve verën e kaluar, pas mbylljes së operacionit me Empolin, ishte e dukshme, ashtu si edhe pas asaj që tregoi në miqësoret e para.

Të gjithë prisnin rritje më të shpejtë, të cilën me sa duket Inzagi nuk e lejoi, sepse sigurisht që rritja e një lojtari kalon nga frekuentimi, jo vetëm nga stërvitjet. Logjike do të ishte që situata të ndryshonte para fundit të sezonit, të paktën për Asllanin, pasi Interi nuk ka ndër mend të paguajë 7 milionë euro për blerjen e Belanovës.

Mesfushori i Kombëtares e ka shpërblyer besimin sa herë i është dhënë dhe pret vetëm një mundësi, që mund të jetë kthesa e sezonit të tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat