Sulmi i Kombëtares kuqezi, tre lojtarë të Kosovës janë në llupën e trajnerit brazilian

Futboll

Sulmi i Kombëtares kuqezi, tre lojtarë të Kosovës janë në llupën e trajnerit brazilian

Më: 10 mars 2023 Në ora: 22:47
Silvinjo

Nisja e një kapitulli të ri sjell me vete edhe fytyra të reja.

Kjo pritet të ndodhë edhe ne ekipin kombëtar, teksa të njëjtën gjë pohoi edhe trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, në intervistën e fundit.

Braziliani u shpreh që përveç futbollistëve, të cilët ka zgjedhur Edi Reja gjatë qëndrimit në stolin kuqezi, me publikimin e listës së tij të parë, do të ketë edhe emra të rinj.

Deri më tani, i vetmi emër i konfirmuar zyrtarisht është ai i Taulant Seferit, ku klubi i Vorsklës në Ukrainë e ka bërë publike ftesën që Silvinjo i ka dërguar sulmuesit, por gjithsesi mbetet një emër i vjetër.

Ndërkohë, sa u përket emrave të rinj, një prej tyre flitet se mund të jetë Mirlind Daku.

Silvinjo pritet që të “peshkojë” nga sulmuesit e Kosovës, të cilët nuk kanë luajtur ende një ndeshje zyrtare me “Dardanët”, siç është edhe rasti i Dakut që luan rregullisht dhe po shënon me skuadrën e Murës në Slloveni.

Sulmuesi është në procedurë për të marrë pasaportën shqiptare dhe çdo gjë mbetet për t’u parë në vijim nëse trajneri i ekipit kombëtar ka rezervuar një ftesë për të.

Një emër tjetër i përfolur është ai i Ermal Krasniqit, sulmuesit të krahut që u transferua nga Ballkani te Kluzhi këtë dimër.

Pak kohë më parë, në mediat kosovare qarkulluan lajme që dëshira e lojtarit është përfaqësimi i ngjyrave kuqezi dhe burime pranë futbollistit thanë se ai pret një ftesë nga Silvinjo. 14 gola dhe tetë asiste deri tani për Krasniqin, me fanellën e Ballkanit dhe rumunëve të Kluzhit, teksa pritet të shihet nëse do të kalojë te kuqezinjtë, duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet e mira që kanë dy federatat.

Emri tjetër është Albion Rrahmani, sulmuesi që spikati dhe po vazhdon të shkëlqejë te Ballkani, e ka lënë të hapur pjesën e Shqipërisë.

“Nëse Kosova nuk ka interes absolut për mua, pse të injoroj Kombëtaren e Shqipërisë, pasi të luash aty është një privilegj shumë i madh sepse shqiptarë jemi gjithë. Si Kosova si Shqipëria jemi një”, ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat