Pas barazimit pa gola në fundjavën e kaluar, Skënderbeu rikthehet te suksesi në Kategorinë e Parë.
Për llogari të javës së 19-të, korçarët mposhtën në shtëpi me rezultatin minimal 1-0 Tomorin.
Heroi për bardhekuqtë ishte Temitop i cili në minutën e 16-të të pjesës së parë shtyu në rrjetë një top të goditur nga Prençi dhe që ishte ndalur në traversë.
Në fraksionin e dytë, saktësisht në të 75-tën, beratasit mbetën me 10 vetë pasi Shaqe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Kështu, në pjesën e mbetur, Skënderbeu e menaxhoi më së miri avantazhin teksa të besuarit e trajnerit Ivan Gvozdenovic ngjiten në kuotën e 37 pikëve në vendin e parë.
Nga ana tjetër, Flamurtari dështoi në transfertë përballë Tërbunit. Ecuria prej tre fitoresh radhazi e vlonjatëve mori fund në Pukë, teksa vendasit fituan me shifrat 1-0. Autori i golit vendimtar për Tërbunin ishte Saliaj në minutën e 71-të të pjesës së dytë.
Pas këtij trepikëshi, Tërbuni renditet në vendin e tetë me 24 pikë ndërsa Flamurtari mbetet në vendin e dytë me 35 pikë. Ndërkohë, në ndeshjet e tjera, Lushnja mposhti me rezultatin 3-2 Korabin, Burreli fitoi 1-0 ndaj Luzit, Besa mposhti thellë 5-1 Turbinën ndërsa Oriku fitoi 1-0 ndaj Besëlidhjes.
Ndërkohë, të dielën, Dinamo luan ndaj Apolonisë me Blutë që në rast suksesi mund të barazojnë në krye Skënderbeun dhe në të njëjtën kohë të parakalojnë Flamurtarin.