Bekim Balaj gjen golin e parë me fanellën e Vllaznisë, që prej rikthimit në Superiore, megjithatë shkodranët nuk ia dalin të rikthehen te fitorja.
Kuqeblutë nuk shkuan dot përtej barazimit 1-1 ndaj Partizanit, në një sfidë ku gjithçka u vendos me dy gola në minutat e para dhe rezultati mbeti i pandryshuar pavarësisht rasteve të shumta.
Një “ish” si Da Silva zhbllokoi takimin që në minutën e dytë, duke ndezur entuziazmin e të kuqtë. Megjithatë Vllaznia reagoi shpejt dhe fitoi një penallti me Malën.
Nga pika e bardhë shkoi Bekim Balaj, që gjuajti saktë dhe mposhti Rexhepin, duke rikthyer baraspeshën.
Një gol çlirimi për sulmuesin e Kombëtares Shqiptare, që u rikthye te Vllaznia në janar, por që nuk kishte arritur të dërgonte topin në rrjetë në 6 takimet që kishte luajtur deri tani.
Me këtë barazim, Partizani mban vendin e dytë me 41 pikë, ndërsa shkodranët mbeten të katërtët me 37 pikë, 6 pikë larg kreut.
Në “Elbasan Arena”, Tirana ia doli të triumfojë me rezultatin 3-1 ndaj Laçit dhe të rimarrë kreun e vetme, me 43 pikë, Bardheblutë lanë pas krahëve dy humbjet radhazi ndaj Teutës e Partizanit dhe morën një fitore pa shumë sforcim ndaj kurbinasve.
Florent Hasani shënoi dy golat e parë, ndërsa Lulaj në të 45-ën çoi shifrat në 3-0. Kurbinasit ndryshuan në pjesën e dytë dhe rihapën ndeshjen me Guindo, që ekzekutoi saktë një penallti, ndërsa në shtesë ishte Ujka që shënoi edhe të dytin, por pa ia dalë të shmangë disfatën.