Tirana mposht Kinostudion në derbi, Laçi triumfon ndaj Kukësit

Futboll

Tirana mposht Kinostudion në derbi, Laçi triumfon ndaj Kukësit

Më: 12 mars 2023 Në ora: 19:15
Pamje nga një ndeshje

Janë zhvilluar këtë të diel të gjitha sfidat e javës së 11-të në kampionatin e futbollit të vajzave.

Një javë e mbushur me duele mjaft interesante që prodhoi edhe rezultate spektakolare.

Në derbin kryeqytetas, mes Tiranës dhe Kinostudios, vajzat bardheblu morën fitoren e parë në këtë fazë të dytë të kampionatit.

Ekipi i drejtuar nga Aurora Seranaj triumfoi me rezultatin 6-0 ndaj Kinostudios, me gola të shënuar nga Vishkulli (4) dhe Coka (2). Një fitore që e mban ekipin e Tiranës në vendin e dytë në kampionat.

Ndërkaq, në takimin tjetër të javës, Vllaznia pati një ndeshje të lehtë në letër kundër Teutës.

Kampionet në fuqi të vendit mundën me shifrat 13-0 vajzat durrsake në sfidën e zhvilluar ditën e sotme në stadiumin ‘Reshit Rusi’ në Shkodër. Golat në këtë sfidë u shënuan nga: Doçi (6), Vrucaj, Kodra, Franja (2), Gjini (2) e Mustafaj.

Një ndeshje tjetër mjaft interesante e kësaj jave ishte edhe derbi verior ‘Kukësi – Laçi’, me këto të fundit që buzëqeshën në fund, pasi dolën me tre pikë shumë të rëndësishme nga fusha. Laçi triumfoi me shifrat 0-5 në këtë sfidë, teksa fitorja e ngjit tashmë ekipin kurbinas në vendin e 6-të.

Sakaq, në juglindje të vendit u zhvillua edhe sfida e katërt dhe e fundit për këtë javë të 11-të mes Skënderbeut dhe Lushnjes, me korçaret që arritën të siguronin tre pikë nga kjo sfidë, duke triumfuar me rezultatin 2-1.

Golat për korçaret u shënuan nga Kullira e Malaveci, ndërsa për lushnjaret realizoi Tashi.

Ndeshja Apolonia – Partizani është shtyrë për shkak të impenjimeve të futbollisteve me ekipet kombëtare dhe do të zhvillohet në një moment tjetër që do të përcaktohet nga Departamenti i Garave në FSHF.

Ndeshjet e javës së njëmbëdhjetë në Kampionatin Kombëtar të Vajzave:

Kinostudio – Tirana        0-6

Vllaznia – Teuta               13-0

Kukësi – KF Laçi               0-5

Skënderbeu – Lushnja    2-1

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat