Daniel Maldini i ka bërë një nder Milanit duke qenë protagonist në fitoren e Specias ndaj Interit.
Por kjo nuk do të thotë detyrimisht se ai do të kthehet të jetë pjesë e kuqezinjve në të ardhmen.
Dhe këtë mendim tashmë e ndan edhe babai i tij, Paolo Maldini, i cili nuk po mendon kthimin në bazë pas huazimit këtë sezon.
Sipas mediave italiane, ai po bëhet gati të sakrifikojë të birin, për të siguruar një element të së ardhmes për klubin kuqezi.
Drejtori sportiv i Milanit ka piketuar Lazar Samarxhiç si emrin e duhur për të përforcuar mesfushën, pasi ka ndjekur vazhdimisht me vëmendje 21-vjeçarin e Udinezes.
Klubi bardhezi kërkon 15 milionë euro për kartonin e lojtarit, por Maldini po planifikon që të ulë koston duke ofruar futbollistë të tjerë në shkëmbim.
“TuttoUdinese” bën të ditur se emri i parë që ka dalë në bisedime është ai i Daniel Maldinit, djalit të drejtuesit të Milanit, i cili duket se tërheq Udinezen.
Kjo e fundit kërkon gjithmonë lojtarë të cilët i vlerëson të perspektivës dhe që mund të bëjnë mirë në Serinë A.