Manchester Utd nuk pritet të ketë vështirësi për të siguruar një biletë në çerekfinalet e Europa League sot në transfertën me Real Betisin pas fitores 4:1 në “Old Trafford” ndaj skuadrës së Manuel Pelegrinit.
Liga e Europës mund të jetë trofeu i dytë që mund të triumfojnë “Djajtë e Kuq” pasi thyen mallkimin e zgjaste prej 6 vitesh kur ngritën Kupën e Ligës në shkurt.
Përpara humbjes historike 7-0 me Liverpulin, skuadra e Ten Hagut ishte ekipi i vetëm në Angli që ishte në garë për të katërt trofetë, por tashmë ka humbur terren në Premier Ligë dhe tekniku holandez e pranon se skuadra e tij nuk është ende gati për të luftuar për titullin kampion.
“Mendoj se kemi bërë progres të mirë, por jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm se ka ende një diferencë me rivalët.
Unë nuk prisja që ne ta ngushtonim atë shpejt.
Ne po përpiqemi që të fitojmë çdo ndeshje dhe kemi mundur të gjitha ekipet e mëdha këtë sezon. Jemi të aftë për ta bërë këtë.
Por duhet të bëjmë hapin e radhës dhe me kohën mund t’ia dalim ta bëjmë. Premier Liga nuk ka qenë kurrë kaq e vështirë sa tani.
Ka shumë rivale dhe nuk është një garë vetëm me dy skuadra. Ka 5,6,7 ekipe. Ne jemi të ndërgjegjshëm se mund t’ia dalim, por jemi gjithashtu të vetëdijshëm se kemi ende hapa për të bërë”, tha trajneri i Mançester Junajtidit në konferencën për shtyp.