Fokusi i Milanit është te kampionati dhe te Liga e Kampioneve, por drejtuesit nuk mund të lënë pas dore merkaton.
Janë disa emrat që drejtori Maldini po shqyrton prej kohësh, e mes tyre spikat ai i Ruben Loftus-Çek.
Fantazisti i Çelsit është një dëshirë e vjetër e kuqezinjve, që në verë mund të bëjnë një goditje të dyfishtë në Londër duke e marrë së bashku me kolegun Hakim Zieh.
Samuele Riçi, që tek Torino po spikas me lojën e tij të shkëlqyer, shihet gjithashtu si një prurje e verës.
Mesfushori, që mund të zëvendësojë si Tonalin ashtu edhe Benaserin, do të ishte një përforcim i rëndësishëm duke parë vështirësitë që Pioli ka pasur gjatë sezonit për të gjetur një alternues të dyshes titullarë, pasi në një mënyrë apo në një tjetër, Adli, Vranks, Pobega e Bakajoko kanë zhgënjyer.
OFENSIVA – Aspekti sulmues ka gjithashtu vëmendjen e bordit drejtues. Nevojitet një anësor i djathtë dhe një “pykë”. Ritsu Doan i Fraiburgut është objektivi më i ri i Maldinit.
Pas një viti i skadon kontrata dhe mund të largohet në verë nga Gjermania. Në lidhje me majën e sulmit Skamaka dhe Retegui i sapothirrur në kombëtaren italiane janë vetëm dy nga emrat që monitoron “Djalli”.
Edhe Zhoao Pedro i Uotfordit përbën një hipotezë, e cila mund t’i afrohet konkretizimit në muajt e ardhshëm, megjithatë shumë nga vendimet e Milanit do të varen nga buxheti që do t’i vihet në dispozicion Maldinit ne fund të sezonit.