Victor Becali, menaxher i futbollistit kosovar Ermal Krasniqi, ka lënë të kuptohet se Lazio ka shprehur interesim për klientin e tij.
“Biancocelesti” po shpresojnë ta sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që ta kenë më të lehtë bindjen e lojtarëve.
“Krasniqi është një lojtar për të cilin disa klube janë të interesuara.
Ai është nga Kosova, por gjithashtu edhe shqiptar.
E kam një shok me origjinë shqiptare, i cili ka rol në një klub të madh dhe diçka mund të ndodhë.
Varet nga ai. Nuk mund të them se për cilin klub dhe për cilin shtet bëhet fjalë”, u shpreh Becali për mediumin “Fanatik".
Edhe pse nuk dha emra, gjithçka lë të kuptohet se ai iu referua drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tare, i cili është mjaft aktiv me transfere nga Evropa Lindore.
Krasniqi i ka realizuar katër gola dhe e ka dhuruar një asistim në 11 ndeshje me CFR Cluj në Rumani, ku u transferua gjatë janarit nga Ballkani për afro 200 mijë euro.
E tash, klubi rumun mund ta shesë mesfushorin tonë, i cili shkëlqeu në garat evropiane me Ballkanin, për disa miliona euro.