Reprezentacioni i Maqedonisë nesër fillon përgatitjet para ndeshjes së parë të ciklit të ri kualifikues për Kampionatin Evropian 2024.
Para ndeshjes me Maltën, Ezgjan Alioski, ka shprehur mendimet e tij për kundërshtarin.
“Jemi të lumtur që pas disa muajsh po mblidhemi sërish me kombëtaren e Maqedonisë.
Po nisim një cikël të ri kualifikimi dhe sigurisht urojmë fitore ndaj Maltës dhe fillim me tre pikë.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që t’i nisim me sukses kualifikueset sepse atëherë kemi ndeshje shumë më serioze në grupin e fortë me Anglinë, Italinë dhe Ukrainën.
Uroj që të gjithë të jemi të shëndetshëm dhe të kompletuar dhe besoj se do të japim maksimumin.
Do të mundohemi të luajmë ndeshje të mëdha për kualifikime të suksesshme pas rezultateve historike të viteve të fundit”, thotë Alioski.
Tashmë nga nesër reprezentuesit nisin stërvitjet dhe përgatitjet taktike për ndeshjen me maltezët.